Sterilizimi

Sterilizimi është një term që i referohet çdo procesi që eliminon ose vret të gjitha format e jetës, duke përfshirë edhe agjentët që trasmetojnë sëmundje si: kërpudhat, bakteret, viruset , sporet etj.
Klinika dentare mund të jetë një “rezervuar” i vërtetë i mikroorganizmave përgjegjës për përhapjen e sëmundjeve nga një pacient në tjetrin, si dhe nga pacienti tek mjeku.
Sëmundjet e shkaktuara me keto mekanizma quhen infeksione të kryqëzuara dhe mund të shkaktohen nga kontaktet ndër-njerëzore ose nga kontakti me instrumenta jo steril të përdorur gjatë trajtimit dentar.

Mikroorganizmat më të frikshëm në klinikën dentare janë padyshim virusi HIV dhe hepatiti. Megjithatë nuk mund të nënvlerësojmë fuqinë e infektimit të Gram + (Streptococcus dhe Staphylococcus), Gram – (Pseudomonas aeruginosa) , mykobakteria (M. tubercolosis) dhe kërpudhave (Candida albicans).

Objektivi kryesor i sterilizimit është të sigurohet steriliteti i mjeteve dhe materialeve që do të përdoren tek pacienti gjatë kurave dentare.

Për të arritur këtë, në klinikë duhet të aktivizohet një program dizinfektimi dhe sterilizimi i të gjitha strumentave apo sipërfaqeve të cilat mund të shërbejnë si trasmetues të mikroorganizmave.

Ngjitur me sallën operative është një dhomë e pajisur me aparatura të dedikuara për sterilizimin e strumentave ku stafi jonë kryen të gjitha procedurat sipas protokolleve europiane që sigurojnë higjenë maksimale për mbrojtjen e pacientit.

Sterilizimi i instrumentave përbëhet nga fazat e mëposhtme:

Dekontaminimi – një sërë procedurash që synojnë të zvogëlojnë ngarkesën e mikrobeve si dhe të heqin materialet organike në mënyrë që të lejojnë një dizinfektim dhe sterilizim absolut.

Dizinfektimi – grupi i procedurave që synojnë të eliminojnë mikroorganizmat patogjenë , me përjashtim të sporeve .

Sterilizimi – eliminimi i të gjitha mikroorganizmave , duke përfshirë edhe sporet.

Dekontaminimin shërben për të ulur ngarkesën bakteriale dhe mund të bëhet me anë të dy mënyrave, atij fizik ose kimik. Në klinikën tonë ne i perdorim te dyja: fillimisht strumentat zhyten në një vaskë që përmban lëndë dekontaminante (dekontaminimi kimik) dhe pastaj vendosen brënda nje dizinfektori termik (dekontaminimi fizik).

Më pas strumentat kalojnë në një aparat me ultrasuoni, i cili redukton me mbi 90% ngarkesën bakteriale.

Në fund të procesit të dekontaminimit strumentat shpëlahen me ujë të pastër, thahen, plastifikohen dhe bëhen gati për sterilizimin në autoklavë.

Paketimi i strumentave në zarf plastik ka për qëllim sigurimin e sterilitetit nga koha kur dalin nga autoklava deri në hapjen e tyre për përdorim te pacienti.